Revitalizohet hapësira publike në rrugën “Sylejman Vokshi” në lagjen Vëllezërit Stavileci

EC Ma Ndryshe, në bashkëpunim me nxënësit e SHFMU “Fadil Hisari” në Prizren dhe komunitetin lokal, ka revitalizuar hapësirën publike në rrugën “Sylejman Vokshi”, në lagjen Vëllezërit Stavileci.
Ky aktivitet synon përmirësimin e mjedisit dhe të cilësisë së jetesës në lagje, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe institucioneve lokale për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta.
Pastrimi dhe rregullimi i kësaj hapësire ishte kërkesë e banorëve të lagjes, të cilët e konsiderojnë ndërhyrjen të rëndësishme për krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm. Hapësira ndodhet edhe në afërsi të Spitalit të Prizrenit, prandaj përmirësimi i saj ndikon në mjedisin përreth dhe në përvojën e qytetarëve që frekuentojnë këtë zonë.
Në kuadër të aktivitetit, nxënësit, nën udhëheqjen e një profesionisti, realizuan një mural me tematikë mjedisore në trafostacionin e kësaj hapësire. Po ashtu, u bë pastrimi i zonës, mbjellja e fidaneve dhe e shkurreve për krijimin e një gardhi të gjelbër, si dhe vendosja e ulëseve dhe shportave për mbeturina.
Përmes këtij angazhimi të përbashkët, përfshirë asistencën teknike të KEDS-it, hapësira është përmirësuar me elemente të gjelbërimit dhe të mobilimit urban, ndërsa përfshirja e nxënësve dhe banorëve ka kontribuar në nxitjen e përgjegjësisë së përbashkët për kujdesin ndaj mjedisit dhe hapësirave publike.
Share