EC Ma Ndryshe, në bashkëpunim me Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, organizoi punëtorinë “Restaurimi Ekologjik si Proces Hapësinor”, me qëllim të zgjerimit të njohurive të studentëve për rëndësinë e restaurimit të ekosistemeve dhe rolin e planifikimit hapësinor në mbrojtjen dhe rikuperimin e natyrës.
Gjatë punëtorisë u trajtuan konceptet kryesore të restaurimit ekologjik, rëndësia e ruajtjes së biodiversitetit dhe mënyrat se si planifikimi hapësinor mund të ndihmojë në rikuperimin e ekosistemeve të dëmtuara. Vëmendje e veçantë iu kushtua restaurimit të lumenjve, livadheve, tokave bujqësore dhe habitateve të tjera natyrore, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjeve të planifikuara dhe menaxhimit të qëndrueshëm të hapësirave.
Për të ilustruar mundësitë dhe qasjet e ndryshme të restaurimit ekologjik, u prezantuan edhe shembuj nga vende evropiane, përfshirë restaurimin e Deltës së Danubit, rikuperimin e popullatës së rrëqebullit iberik dhe restaurimin e habitateve në Spanjë. Këto praktika shërbyen për të treguar se ndërhyrjet për rikuperimin e natyrës duhet të përshtaten me karakteristikat dhe nevojat e secilit ekosistem.
Pjesë e punëtorisë ishte edhe puna praktike në grupe, gjatë së cilës studentët analizuan ekosisteme të ndryshme, identifikuan problemet dhe faktorët që ndikojnë në degradimin e tyre dhe propozuan ide fillestare për përmirësimin e gjendjes së tyre. Përmes këtij angazhimi, ata patën mundësi të ndërlidhnin njohuritë teorike me sfidat konkrete mjedisore dhe të shqyrtonin zgjidhje të mundshme për rikuperimin e hapësirave natyrore.
Punëtoria vuri në pah se restaurimi ekologjik shkon përtej mbjelljes së pemëve apo rehabilitimit të zonave të dëmtuara. Ai përfshin rikthimin e funksioneve natyrore të ekosistemeve, planifikimin e qëndrueshëm të përdorimit të tokës dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të EC Ma Ndryshe për mbrojtjen e biodiversitetit, promovimin e restaurimit ekologjik dhe përfshirjen e të rinjve në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat mjedisore.
