EC Ma Ndryshe me hisedarët nga Komuna e Dragashit ka shqyrtuar sfidat e menaxhimit të Pellgjeve Lumore. Në këtë takim morën pjesë fermerë, bujq, përfaqësues të fshatrave, zyrtarë dhe drejtorë komunalë, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve nga Sharri, profesorë universitarë dhe hidroinxhinierë.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e lumenjve, sfidat në menaxhimin e ujërave dhe bashkëpunimin ndërmjet komunitetit dhe institucioneve për mbrojtjen e tyre.
Në veçanti u theksua rëndësia e përfshirjes aktive të komunitetit në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes për mbrojtjen e burimeve ujore.
Pjesëmarrësit ndanë shqetësimet dhe propozimet e tyre lidhur me menaxhimin e Pellgjeve Lumore në Komunën e Dragashit. Diskutimet e tyre u përqendruan në çështje që prekin drejtpërdrejt banorët, përfshirë vërshimet, problemet me ujin e pijshëm dhe ndotjen e lumenjve nga ujërat e zeza.
Përfaqësuesit e komunës njoftuan se impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Brezne është drejt përfundimit dhe u zotuan të vazhdojnë me ndërtimin e disa impianteve më të vogla të trajtimit në zona të tjera.
Pjesëmarrësit theksuan se trajtimi i ujërave të zeza është një hap i rëndësishëm për uljen e ndotjes së lumenjve dhe për përmirësimin e gjendjes së pellgjeve lumore.
Ky aktivitet synon të sjellë zërin e komunitetit më afër institucioneve dhe të nxisë veprime gjithëpërfshirëse për ruajtjen e ekosistemeve ujore.
