Të rinjtë e Prizrenit inkurajohen për angazhim të gjelbër përmes “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”
Punëtoritë e “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”, të organizuara nga EC Ma Ndryshe, me synimin për të forcuar njohuritë dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike janë mbajtur në ShMLM “Luciano Motroni” dhe gjimnazet “Gjon Buzuku” dhe “Remzi Ademaj” në Prizren.
Gjatë këtyre punëtorive, rreth 150 pjesëmarrës kanë eksploruar temat mbi biodiversitetin, ndotjen dhe të ardhmen e ekosistemeve, pastaj për ndryshimet klimatike sikurse edhe veprimet rinore për një të ardhme të qëndrueshme.
Përmes diskutimeve ndërvepruese dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit janë inkurajuar për shqyrtimin e mënyrave se si mund të kontribuojnë për një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm.
Ata gjithashtu janë inkurajuar për të planifikuar iniciativa komunitare për mbrojtjen e mjedisit në shkolla dhe lagje, për të promovuar agjendën e gjelbër përmes pjesëmarrjes aktive qytetare.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra - Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.
