Qindra nxënës të shkollave të mesme të larta të komunave të Prizrenit dhe Gjakovës kanë marrë pjesë në sesionet informuese të organizuara nga EC Ma Ndryshe, me synimin për përfshirjen e të rinjve për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Sesionet informuese janë mbajtur në dhjetë institucione arsimore, me pjesëmarrjen e nxënësve të klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta, me fokus të veçantë në edukimin mjedisor, promovimin e vlerave të qëndrueshmërisë dhe prezantimin e “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”, një iniciativë që synon të shndërrojë të rinjtë në zëra të fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit në komunitetet e tyre.
Konkretisht “Shkolla e Aktivizmit Mjedisor” do të ofrojë një platformë trajnimi dhe angazhimi për të rinjtë, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi praktike për të ndërmarrë veprime konkrete në fushën e mjedisit dhe për të promovuar ndryshime pozitive në shkollat dhe lagjet e tyre.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, që zbatohet nga EC Ma Ndryshe, si partner i organizatës Care International Balkans dhe me mbështetjen të Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.
Projekti ka për qëllim të fuqizojë të rinjtë dhe komunitetin lokal përmes aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të gjelbër.
Aktivitetet e projektit janë të shtrira në komunat Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë e Veriut dhe Mitrovicë e Jugut, duke u fokusuar në edukimin dhe angazhimin e të rinjve dhe komunitetit përmes aktiviteteve të ndryshme.
European Union in Kosovo
CARE International Balkans
EC Ma Ndryshe
Syri i Vizionit