EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me komunitetin shkollor të SHFMU “Motrat Qiriazi” në Prizren ka realizuar iniciativën me karakter edukativ e mjedisor, që ka për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e sjelljeve të qëndrueshme.
Fillimisht, nxënësit e kësaj shkolle patën rastin të luajnë lojën mjedisore “EC në Natyrë”, e cila përmes pyetjeve dhe sfidave ndërvepruese synon të rrisë njohuritë dhe vetëdijen e tyre për pasuritë natyrore të Kosovës, si dhe për problemet që kërcënojnë mjedisin.
Përveç kësaj, në oborrin e shkollës janë vendosur 3 mini hotele për insekte të dobishme, që ndihmojn në ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemit dhe përmirësimin e biodiversitetit. Këto mini hotele të veçanta shërbejnë gjithashtu si mjet edukativ për nxënësit, duke i njohur ata nga afër me rolin e insekteve në ruajtjen e mjedisit.
Gjithashtu është bërë vendosja e një parkingu për biçikleta në hapësirat e shkollës për të nxitur lëvizjen e qëndrueshme dhe zvogëlimin e ndotjes.
Këto aktivitete kanë ardhur si rezultat i kërkesave të komunitetit shkollor dhe shërbejnë për të promovuar informimin dhe vetëdijen mjedisore të tyre përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare, duke u përqendruar në ndërgjegjësimin për biodiversitetin, ruajtjen e ekosistemit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
