Implementimi i Agjendës së Gjelbër dhe turizmi i qëndrueshëm mund të kenë përmirësime në Kosovë në rast të angazhimit më të madh si nga institucionet publike ashtu edhe nga qytetarët, është thënë gjatë konferencës me të njëjtin titull të organizuar nga EC Ma Ndryshe në Prizren.
Folësit nga sektorë të ndryshëm kanë vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore për turizmin e qëndrueshëm, teksa kanë përkujtuar se aktualisht ka sfida të shumta që duhen adresuar me veprime më të përgjegjshme të të gjithë hisedarëve.
Drejtori ekzekutiv i EC-it, Valon Xhabali në hapje të konferencës ka theksuar se organizata edhe gjatë këtij viti ka vazhduar përkushtimin dhe kontributin për promovimin dhe përkujdesjen ndaj mjedisit, të drejtave të njeriut si dhe ruajtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore për ta vënë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, që paraqesin vazhdimin e përpjekjeve për gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri, me fokus tek qytetari, si garantuesi kryesor i demokracisë dhe zhvillimit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka vlerësuar se pushteti lokal e konsideron partner shoqërinë civile jo vetëm në përcaktimin e prioriteteve, por edhe në implementimin e programeve, pasi qasja gjithëpërfshirëse ka potencial për gjenerim të ideve të reja, që sipas tij janë të mirëseardhura dhe se mund të implementohen më lehtë.
Akivitetet e EC-it në këtë drejtim janë prezantuar nga Kaltrinë Kolukaj, e cila ka potencuar se në bashkëpunim me hisedarë të ndryshëm janë realizuar 1800 aktivitete në 24 komuna të Kosovës.
Ndërkaq, gjatë diskutimit në panel, Abdullah Pirçe nga MMPHI ka prezantuar politikat publike të kësaj ministrie lidhur me implementimin e Agjendës së Gjelbër, teksa Nysrete Doda nga MBPZHR-ja ka veçuar programet përkatësisht masat për zhvillimin e turizmit rural në Kosovë. Ligjëruesja universitare, Lumta Dida-Çapari ka vënë në pah se si ndryshimet klimatike të shkaktuara nga faktori njeri ndikojnë në turizmin e qëndrueshëm dhe ka bërë thirrje për ndërgjegjësim për ndalimin e këtij trendi. Muamer Hasani nga GUIDEKS është shprehur se Kosova çalon shumë sa i përket implementimit të Agjendës së Gjelbër dhe praktikave të mira të turizmit të qëndrueshëm, ngjashëm si Blerina Reqica nga INDEP që ka theksuar se Kosova ka shumë punë për zbatimin e Agjendës së Gjelbër, sikurse edhe praktikave miqësore me mjedisin për një turizëm të qëndrueshëm.
Konferenca është mbyllur me thirrjen për veprim më të përgjegjshëm nga secili individ në mënyrë që vlerat natyrore e kulturore të Kosovës të mirëmbahen dhe t’i përcillen brezave të ardhshëm.
HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
KCSF
EC Ma Ndryshe