“Green Talk” me të rinj edhe në Graçanicë

EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me organizatën joqeveritare CSD kanë organizuar “Green Talk” në Graçanicë. Kësisoj ka vazhduar seria e debateve “Green Talks” me të rinj, aktivitet ky që synon të promovojë çështjet mjedisore dhe nxitjen e debatit midis nxënësve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal.

Prezent në këtë debat përveç Drejtoreshës për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Graçanicës, znj. Aleksandra Djekic, ishin edhe nxënësit e mësimdhënësit e shkollës fillore “Kral Milutin”.

Fillimisht para pjesëmarrësve janë prezantuar aktivitetet e EC-it mbi mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e njeriut, e më tutje Drejtoresha në fjalë ka shpalosur punët e realizuara dhe planet e komunës sa i përket këtyre dy temave.

Në vazhdim, nxënësit dhe mësimdhënësit pjesëmarrës prezantuan aktivitetet e realizuara në mbrojtje të mjedisit dhe në të njëjtën kohë ata patën mundësinë ti shtronin pyetje znj. Djekic, si dhe ti shprehin shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Diskutimi i realizuar në mes të pjesëmarrësve ka prekur probleme të ndryshme mjedisore që ekzistojnë në komunën e Graçanicës, si: deponitë ilegale, mungesa e ndarjes së mbeturinave dhe deponimi i tyre në një vend, problemet tjera lidhur me përdorimin e tepërt të plastikës dhe investimet e ndryshme në energji efiçiente siç janë panelet solare.

Këto aktivitete u shërbejnë të rinjve për të paraqitur sfidat dhe kërkesat e tyre para zyrtarëve përgjegjës dhe në të njëjtën kohë u ofron institucioneve mundësinë për t’i përmbushur këto kërkesa.

Share