EC-i shënon Ditën e Tokës me disa aktivitete në Prizren

EC Ma Ndryshe ka shënuar 22 prillin – Ditën e Tokës me aktivitete të ndryshme në Prizren.
Në bashkëpunim me Klubin e Studentëve të FShJM-së në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren është realizuar aktiviteti i parë për nder të kësaj dite. Në këtë aktivitet krahas studentëve janë përfshirë edhe ligjëruesit e FShJM-së, me ç’rast janë vendosur biografitë bimore dhe karakteristikat e tyre ekosistemore te drunjtë/bimët e kampusit të Universitetit “Ukshin Hoti”.
Gjatë këtij aktiviteti është theksuar se angazhimi i përbashkët është i nevojshëm për përballjen me ndryshimet klimatike, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e ekosistemeve, për një të ardhme më të qëndrueshme. Nisma për realizimin e këtij aktiviteti ka ardhur nga Klubi i Studentëve të FSHJM-së. Paraprakisht, Klubi i Studentëve dhe FSHJM kanë organizuar edhe një ligjëratë mbi rolin dhe rëndësinë e pyjeve në mbrojtjen e Tokës.
Gjatë ditës, EC Ma Ndryshe ka realizuar një intervenim simbolik edhe në hapësirat e gjelbra të Down Syndrome Kosova – Qendra në Prizren. Aty janë mbjellë disa pisha dhe trëndafila dhe janë vendosur disa lule sezonale. Ideja për këtë aktivitet ka ardhur si kërkesë e komunitetit të Down Syndrome Kosova – Qendra në Prizren.
Krahas kësaj, EC ka marrë pjesë edhe në aktivitetet tjera për shënimin e Ditës së Tokës. Kështu përvojat për aktivizimin mjedisor në komunitet janë shkëmbyer edhe gjatë një aktiviteti të realizuar në Këndin Amerikan në Prizren, ku po ashtu ka pasur intervenime simbolike në hapësirat e gjelbra publike në qendër të qytetit.
Me aktivitetet e kësaj natyre EC-i synon që ti përfshijë të rinjtë dhe grupet tjera të komunitetit në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e biodiversitetit

HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe

Share