Qasja në ujë të pijshëm dhe kanalizim është një e drejtë themelore e njeriut që nga viti 2010. Me qindra fushata botërore i kushtohen kursimit të ujit të pijës, duke ju referuar vendeve të kontinentit afrikan që vuajnë për ujë të pijës. Megjithatë ka vende të cilat kanë burime të mjaftueshme të ujit, por që avaritë mund t’i sjellin situata të palakmueshme. Me pak fjalë, disa nuk e kanë fare, kurse këta që e kanë ujin e pijës nuk i rrijnë gati.
Gjendja e ujësjellësve në Republikën e Kosovës viteve të fundit është përmirësuar dukshëm. Kjo kryesisht falë kontributit të donatorëve ndërkombëtarë.
Uji i pijës nuk ka qenë në fokusin e qeverive si një program kombëtar dhe me një përkushtim që të rregullohet i gjithë sistemi, ashtu sikur janë marrë me infrastrukturën rrugore. Por, uji pijës gjithmonë ka qenë në gojë të pushtetarëve lokalë. Ata e premtonin ujin. Më pas nëse nuk kishte ujë, drejtonin gishtin tek kompanitë rajonale të ujësjellësve, edhe pse në bordin e tyre kanë një përfaqësues si komunë kontribuese.
Me ndihmën e ndërkombëtarëve, me përkushtimin e tanëve dhe me bashkëfinancimin e vet qytetarëve, sipas një studimi në fund të vitit 2018 të profesorit dhe inxhinierit të hidroteknikës Lavdim Osmanaj, na del që në Kosovë vetëm 8.4% e banorëve nuk kanë qasje në ujësjellës. Më pak e nxjerrë këtë përqindje Autoriteti Rregullator i Shërbimeve të Ujit, që thotë se mbulueshmëria me ujësjellës është 78% nga shtatë kompanite rajonale shtetërore në regjionet e Kosovës.
Por, çka po ndodhë me ujin që na vjen në shtëpi? A po i rrijnë gati mjaftueshëm atij?
Një tregues, edhe pse mund të quhet si rast i izoluar, është ngjarja në Deçan. Si pasojë e cilësisë së ujit, mbi 1500 qytetarë u drejtuan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë komunë për të kërkuar ndihmë. Ata kanë pas ankesa, pasi kishin pirë ujë që vjen nga ujësjellësi. Megjithëse në fillim nuk dihej, analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, që Ligji për Ujëra i bën përgjegjës për monitorimin e cilësisë së ujit të pijës, e konfirmuan se në ujë kishte pasur baktere që kanë kontaminuar ujin.
E bazenet ku uji pushonte që të rridhte në çesmet e deçanasve mbuloheshin vetëm me një kapak të thjeshtë betoni, që mund ta lëvizte një i rritur pa problem dhe të shihte ujin duke rrjedhur. Dashakeqët edhe mund të hidhnin ndonjë gjë. Kjo ishte siguria e ujit në Deçan. Gjithë kësaj iu shtua edhe një vizitë e dyshimtë në këtë zonë nga dy persona. Derivat i kësaj erdhi edhe arrestimi i zyrtarit që duhet të kontrollonte kamerat e sigurisë tek bazenet dhe burimi i ujit. Mirëpo, në deduksion kjo tregon një situatë jo fortë të sigurtë. Dikush paska gjasa të kontaminojë ujin që përdorim për pije dhe gatim, pasi të dalë nga fabrikat e përpunimit. Kur kjo pohohet edhe nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, atëherë njëmend këtu diçka nuk shkon. “Nga ajo që është pa në terren, është një nevojë emergjente për vendin tonë që të gjithë ujësjellësit në vendin tonë të inspektohen dhe të merren masa. Pusetat janë të qasshme, rezervuari është lehtë i qasshëm. Mënyra siç është bërë klorizimi i ujit është bërë në mënyrë manuale dhe rrjedhimisht i gjithë sistemi paraqet një brishtësi të madhe sa i përket sistemit të sigurisë. Kemi edhe vende tjera ku situata është e njëjtë. E kemi marrë me seriozitet çështjen e inspektimeve të mëtejme dhe daljen e një raporti të përgjithshëm lidhur me sigurinë e ujësjellësit”, deklaroi ministri Aliu.
Kjo është edhe një arsyet që në Kosovë uji për pije në një masë të konsiderueshme blihet.
Në një nga qytetet që rrethohet me burime të ujit, Prizreni, në “vox-pop” me qytetarë e sheh që dy në tre prej tyre blejnë ujë të pijës. Arsyetimet janë se ka shumë klor apo edhe që kanë dëgjuar se cilësia nuk është e mirë. Duke qenë se pa ujë s’ka jetë, askush nuk rrezikon me të pasigurtën e plotë, por zgjedh që të blejë.
Por, në anën tjetër një raport i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujërave në Kosovë tregon se testet e kompanive rajonale të ujësjellëve janë mbi 99% në përputhshmëri me cilësinë e dëshiruar. Brenga e tyre e vetme është tek standardet kanë të bëjnë kryesisht me klorin residual.
A kemi ndonjë problem tjetër që lidhet me ujin?
Sikur në shumë aspekte dhe sektorë tjerë, nuk është se mund të lodhesh shumë për të gjetur probleme. Ndërtimi i ujësjellësve është një nga problemet në vend.
Të dalë nga lufta, investimet kanë pasur trajtën emergjente të ndërtimit. Mungesa e rregulloreve dhe autoriteteve mbikëqyrëse e kanë bërë situatën edhe më të brishtë.
Por, nuk është shumë më mirë edhe në vitet e mëvonshme. Mungesa e Odës së Inxhinierëve të Kosovës, që do të bënte një filtrim se kush mund të projektojë e ndërtojë ujësjellëse apo vepra tjera hidroteknike, vërehet. Ka pasur ujësjellës në momentin që janë lëshuar në funksion kanë kolapsuar. Edhe në këtë aspekt ka një dritë që po vërehet kah fundi i tunelit. Projektligji për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Kosovës ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës dhe së shpejti pritet të dalë si ligj.
Në gjithë këtë mes, duke gjykuar situatat dhe deklaratat mund të themi se ujë kemi, ujë prodhojmë, por për ujë nuk kujdesemi sa duhet, që të na përmbushet e drejta themelore njerëzore. Ajo që mund të paramendojmë është se uji do të ketë vitin e tij për t’u përmendur. Ngaqë, po vijnë zgjedhjet lokale në tetor.
Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe dhe është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e EC Ma Ndryshe dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së apo Sida-s.