Të ndalet ndotja dhe degradimi i lumenjve

Parimet për administrim të qëndrueshëm të lumenjve të Komunës së Prizrenit nuk po respektohen në tërësi nga institucionet përgjegjëse. Si rezultat, lumenjtë e kësaj komune po përballen me ndotje dhe degradim.

Sipas raportimeve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës zhvillimi industrial, urbanizimi, bujqësia intensive janë vetëm disa prej faktorëve që ndikojnë në ndotjen e ujërave, dhe se përkundër angazhimeve institucionale, shfrytëzimi i pakontrolluar i resurseve ujore dhe dëmtimi i shtretërve të lumenjve, ende mbetet një nga format e degradimit të resurseve ujore. Kjo Agjenci pohon se cilësia e ujërave sipërfaqësore në Kosovë, vazhdon të jetë e ndikuar nga ndotja që vije si rezultat i shkarkimeve të ujërave urbane dhe industriale, hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave në lumenj, përdorimit të pesticideve dhe fertilizerëve në bujqësi si dhe dëmtimi i shtretërve të lumenjve nga shfrytëzimi i inerteve dhe ndërtimet ilegale. Në pasqyrën fillestare të cilësisë së ekosistemeve të publikuar kohë më parë në kuadër të “Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë-2017” të AMMK-së, figuron se lumi Drini i Bardhë (lokacioni matës Vërmicë) dhe lumi Toplluhë (lokacioni matës Piranë) kanë status ekologjik të varfër, derisa Lumbardhi (lokacioni matës Vlashnje) ka status ekologjik të moderuar.

Në bazë të monitorimit në terren nga EC Ma Ndryshe, lumenjtë e kësaj komune vazhdojnë të jenë të ndotura dhe të degraduara nga ndikimi i faktorit njeri. Shkarkimet e ujërave të zeza, hedhja e mbeturinave, sikurse edhe shfrytëzimi i pakontrolluar i inerteve vite më parë, janë vetëm disa elemente që çojnë kah konkluzioni se këto resurse ujore nuk kanë shfrytëzim të qëndrueshëm.

Lidhur me këtë çështje, EC Ma Ndryshe ka kërkuar sqarime nga MMPH-ja si përgjegjëse për administrimin dhe menaxhimin e të gjitha resurseve ujore të Kosovës, por si përgjigje ka marrë vetëm linqet e disa raporteve të publikuara vite më parë, derisa nuk është përgjigjur fare rreth masave të parapara për përmirësimin e gjendjes në rrjedhën e lumit Drini i Bardhë.

Ndërkaq Komuna e Prizrenit, lidhur me masat e ndërmarra për mbrojtjen e lumenjve, ka njoftuar se: “Është bërë mirëmbajtja e rregullt e Lumbardhit brenda zonës urbane të qytetit”. Në zonën jo urbane Komuna nuk mund të ndërmarrë asgjë, pasi që ajo është nën kompetencë të MMPH-së”.

Megjithëkëtë në territorin e Komunës së Prizrenit është në realizim e sipër projekti për ndërtimin e kolektorit dhe të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, një bashkëfinancim mes KfW-së gjermane, MMPH-së dhe Komunës së Prizrenit.

Ndërsa aktivistët mjedisorë e peshkatarët e kësaj komune herë pas here kanë reaguar për ndotjen e degradimin e lumenjve, duke kërkuar zbatimin e masave adekuate nga organet përgjegjëse.

Marrë parasysh gjendjen aktuale të lumenjve në Komunën e Prizrenit, EC Ma Ndryshe rekomandon institucionet që në përputhje me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës t’i zbatojnë parimet dhe masat për mbrojtjen e tyre, pastaj të parandalojnë e pengojnë ndotjen e degradimin e tyre, sikurse edhe të kujdesen që të vihen para drejtësisë të gjithë ata që shkaktojnë apo lejojnë ndotjen e degradimin e lumenjve.

Share