Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, që shënohet më 1 qershor, spikatet nevoja për respektimin e të drejtave të tyre. Prandaj realizohen aktivitete të ndryshme, që synojnë promovimin e të drejtave të fëmijëve, dhe ndërgjegjësimin për zbatimin e tyre në jetën e përditshme. Në këtë aspekt, një vëmendje e veçantë duhet që ti kushtohet edhe të drejtës së fëmijëve për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
Hulumtimet dhe publikimet e mekanizmave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara sikurse edhe organizatave jo-qeveritare ndërkombëtare kanë vënë në pah faktin shqetësues se cdo vit më shumë se 1.7 milion fëmijë nën moshën 5 vjeçare humbin jetën si rezultat i degradimit të mjedisit, derisa miliona të tjerë vuajnë nga sëmundje të ndryshme apo dëmtime tjera që mund të kenë efekte afatgjata. Njëkohësisht konsiderojnë se të drejtat e fëmijëve rrezikohen shkaku i masave të pamjaftueshme të qeverive përkatëse për të adresuar çështjet e ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit, eksploatimit të burimeve natyrore, sikurse edhe ekspozimit ndaj substancave toksike dhe mbeturinave, dhe ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës.
Për më keq, në një situatë të tillë, fëmijët shpesh herë nuk janë në gjendje që të ushtrojnë të drejtat e tyre, përfshirë ato për informim, pjesëmarrje dhe qasjes efektive në mjetet juridike.
Të drejtat e fëmijëve në raport me mjedisin e shëndetshëm shkelen shumë herë dhe shumë shpesh në jetën e përditshme. Prandaj edhe nevojiten ndryshime fundamentale, në shumë drejtime, në mënyrë që mjedisi i shëndetshëm mos të jetë një gjë luksoze për fëmijët në të ardhmen.
Me rastin e shënimit të 1 qershorit, duhet ri sjellë në vëmendje faktin se mjedisi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm është parakusht për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, sikurse edhe për mirëqenien e tyre, në mënyrë që një ditë ata të bëhen anëtarë të shëndetshëm të shoqërisë. Për këtë arsye është e domosdoshme që të shtohet fokusi sa i përket të drejtave të fëmijëve në raport me mjedisin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që organet përgjegjëse të ndërmarrin veprime adekuate për përmirësimet e nevojshme në këtë drejtim.
Konventa mbi të drejtat e fëmijës ofron disa pika hyrëse për fuqizimin e të drejtave të fëmijëve në raport me mjedisin. Këto parime janë të instaluara edhe në Kushtetutën e Kosovës. Garantimi i të drejtës për shëndet të fëmijëve aplikohet edhe me legjislacionin vendor, duke marrë parasysh rreziqet e ndotjes së mjedisit natyror. Më konkretisht, Ligji për mbrojtjen e mjedisit ka për qëllim që të promovojë krijimin e mjedisit të shëndetshëm për gjithë popullin e Kosovës, si dhe të sigurojë se zhvillimi në Kosovë është i qëndrueshëm në mënyrë që dheu, ajri, uji dhe burimet e jetesës të mbrohen dhe ruhen në të mirë të gjeneratave të ardhshme.
Gjetjet e raporteve dhe hulumtimeve të shoqërisë civile dhe të mediave në Kosovë shpesh herë kanë identifikuar mangësitë në sektorin e mjedisit, që kërkojnë vëmendje më të shtuar nga institucionet shtetërore, me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit dhe menaxhimit mjedisor. Angazhimet e deritanishme të institucioneve përgjegjëse sipas këtyre gjetjeve nuk kanë qenë në nivele të mjaftueshme, gjë që reflektohet edhe në gjendjen aktuale mjedisore, që në masë të konsiderueshme sfidon edhe të drejtën e fëmijëve për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në raport me mjedisin e shëndetshëm kërkon zgjidhje vizionare, ani pse në politikë dhe në biznes shpesh herë dominojnë vetëm interesat afatshkurta.
Duke i marrë për bazë interesat e fëmijëve dhe të drejtat e tyre, institucionet përgjegjëse të Kosovës rekomandohen që të ndërmarrin veprime adekuate për vendosjen e të drejtave të fëmijëve në qendër të politikave dhe masave për mbrojtjen e mjedisit; të shtojnë përpjekjet për sigurimin e një mjedisi të sigurt, të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm; t’i japin fund ekspozimit të fëmijëve ndaj ndotjes dhe substancave toksike si dhe ti adresojnë ndryshimet klimatike.
HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe