Shkollat, sikurse edhe institucionet tjera bashkë me amvisëritë kontribuojnë në ndotjen e mjedisit përmes konsumit të energjisë veçanërisht gjatë stinës së dimrit. Prandaj, praktikat e mira për efiçiencë të energjisë mund të ndikojnë që shkollat të zvogëlojnë gjurmët e karbonit dhe të frenojnë efektet negative në mjedis, por edhe ti frymëzojnë nxënësit për eko-aktivizëm.
Duke qenë se Kosova mbështetet kryesisht në thëngjill për prodhimin e energjisë, që është burim i gazrave serrë me pasoja për shëndetin e qytetarëve dhe për mjedisin, autoritetet kanë nisur aplikimin e disa masave për efiçiencën e energjisë në sektorin publik dhe në ndërtesat e banimit privat, të cilat synojnë zbutjen e këtyre efekteve negative.
Hulumtimi i realizuar nga EC Ma Ndryshe ka gjetur se aktualisht pjesa më e madhe e shkollave në komunat e mëdha të Kosovës shfrytëzojnë peletin, drurin e naftën për ngrohje, madje edhe me sisteme të kombinuara.
Komuna e Prishtinës në 65 ndërtesa të ndryshme shkollore, përdor peletin, drurin, naftën, ndërkohë që një pjesë e tyre është e lidhur me ngrohtoren e qytetit. Peleti si lëndë djegëse për ngrohje përdoret në 31 ndërtesa arsimore, druri në 11 sosh, nafta në 19 ndërtesa shkollore dhe 14 tjera me ngrohtoren e qytetit.
Shumica e ndërtesa arsimore të Komunës së Prizrenit ngrohen me pelet, ku 84 sosh e përdorin atë si lëndë djegëse dhe brenda një viti shkollor furnizohen me afro 1,430 ton. Drurin për ngrohje e përdorin 25 objekte shkollore dhe shpenzojnë rreth 2,253m³. Me naftë ngrohet vetëm një shkollë e cila shpenzon 12,000 litra naftë në vit dhe 3 shkolla përdorin rrymë për ngrohje, të cilat shpenzojnë 18,600 kë brenda një viti.
Komuna e Ferizajt me 39 shkolla fillore të mesme të ulëta (me 13 paralele të ndara fizike) dhe 7 shkolla të mesme të larta kryesisht përdor drurin si lëndë djegëse për ngrohje përdorin, të cilat shpenzojnë gjithsej 4,762m³ dru, derisa me naftë ngrohen vetëm 2 shkolla të mesme të larta, që shpenzojnë 8,500 litra naftë në sezon.
Komuna e Gjilanit me 28 shkolla fillore e të mesme të ulëta dhe 10 shkolla të mesme të larta, ka 10 shkolla që përdorin pelet për ngrohje, ku për vitin 2023-2024 janë furnizuar me 298 ton pelet.
Sistemin e ngrohjes me dru e kanë gjithsej 34 shkolla, të cilat shpenzojnë 4,719m³. Me naftë ngrohen 6 objekte shkollore dhe për një vit shkollor shpenzojnë 49,000 litra naftë.
Komuna e Gjakovës ka gjithsej 48 objekte shkollore dhe pjesa më e madhe e tyre ngrohen me pelet, ku për një sezon shpenzojnë 235t. Pastaj janë 15 shkolla që naftën e përdorin për ngrohje, të cilat shpenzojnë 94,506 litra. Pjesa tjetër e shkollave që përdorin drurin si lëndë djegëse shpenzojnë 868m³ dru në vit (11 shkolla). Gjithashtu është karakteristike të ceket se janë disa shkolla të kësaj komune që janë të lidhura me ngrohtoren e qytetit.
Në Komunën e Pejës sa i përket sistemit të ngrohjes në objektet shkollore shumica prej tyre ngrohen me dru. Nga gjithsej 38 shkolla që gjenden në këtë komunë, 28 prej tyre ngrohen me dru. Nafta si lëndë djegëse përdoret për ngrohje në 4 shkolla, ndërsa peleti përdoret vetëm në një shkollë. Është e rëndësishme të ceket se janë edhe disa shkolla që sistemin e ngrohjes e kanë të kombinuar me dru dhe pelet.
Komuna e Mitrovicës që gjithsej ka 28 shkolla fillore dhe 4 shkolla të mesme të larta, kryesisht përdor drurin si lëndë djegëse për ngrohje (22 shkolla), të cilat shpenzojnë rreth 2,300m³ varësisht nga sezoni dimëror. Me pelet ngrohen rreth 8 shkolla të kësaj komune, të cilat afërsisht shpenzojnë rreth 200 ton pelet. Ndërsa 4 shkolla përdorin naftë për ngrohje, duke shpenzuar rreth 35,000 litra naftë dhe vetëm një shkollë ngrohet me pompë termike.
Në këto komuna në dy vitet e fundit kanë nisur investimet në disa shkolla që ndërlidhen me përmirësimin e efiçiencës së energjisë. Madje një numër shkollash kanë përfituar edhe nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Ndër projektet madhore në këtë drejtim janë edhe marrëveshjet për kredi nga BERZH-i për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike të Komunës së Prishtinës dhe në atë të Prizrenit. Përmirësimi i efiçiencës së energjisë në ndërtesa është edhe objektiv i Strategjisë për Energji të Kosovës 2022 – 2031.
Përpjekjet e autoriteteve vendore në këtë drejtim janë vlerësuar nga Bashkimi Evropian, ku në Raportin e fundit për Kosovën theksohet se ka pasur progres të mirë në zbatimin e fondit për efiçiencë të energjisë, me ç’rast janë krijuar procedurat për subvencionimin e masave për efiçiencë të energjisë në ndërtesat e banimit. Por BE-ja ka theksuar se Kosova duhet të sigurojë më shumë financa dhe të fuqizojë kapacitetet institucionale në këtë fushë, teksa duhen veprime edhe për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.
Sipas hulumtuesve të ndryshëm ndërtesat e shkollave kanë një përgjegjësi të madhe shoqërore, dhe si rrjedhojë edhe efiçienca e energjisë në këto lloj ndërtesash ka një peshë të veçantë. Kur bëhet fjalë për arsimin, sigurimi i një klime të mirë të brendshme është treguar se ka një efekt pozitiv në të mësuarit. Në shkolla dhe vende të tjera mësimi, është e rëndësishme që zgjidhjet e ngrohjes të jenë të qeta dhe efikase në energji, me kontrolle termostatike të shpejta dhe të besueshme.
Në të njëjtën kohë shkollat me efiçiencë të energjisë reduktojnë gjurmët e karbonit, promovojnë qëndrueshmërinë dhe ndihmojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike. Sipas rekomandimeve të studiuesve ndërkombëtarë, në këso shkolla edhe nxënësit mund të angazhohen në mënyrë aktive në menaxhimin e konsumit të energjisë, duke kultivuar një ndjenjë përgjegjësie dhe kujdestarie mjedisore. Gjithashtu, të gjitha praktikat e qëndrueshme në shkolla ndihmojnë në krijimin e zakoneve ekologjike e të ndërgjegjshme, teksa shkollat me efikasitet energjetik krijojnë edhe partneritete në komunitet dhe frymëzojnë të tjerët të miratojnë iniciativa të gjelbra.
HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe