Njëri prej burimeve kryesore të ndotjes së mjedisit përkatësisht ajrit në territorin e Kosovës është sektori i transportit. Institucionet përgjegjëse për mjedisin kanë bërë të ditur se transporti ndikon në cilësinë e përgjithshme të mjedisit në Kosovë, posaçërisht në mjediset urbane, duke qenë se burimi i emisionit është afër vendbanimeve, me ç’rast ndoten: ajri, ujërat dhe toka. Madje ky rrezik me kalimin e viteve po vjen duke u shtuar për shkak të rritjes së numrit të automjeteve në transportin rrugor të vendit.
Një mendim të tillë e ndajnë edhe qytetarët e Prizrenit që janë anketuar rishtazi nga EC Ma Ndryshe, me ç’rast 56 për qind të 109 respondentëve kanë shprehur qëndrimin se ndotësi më i madh i ajrit në qytetin e tyre është trafiku.
EC Ma Ndryshe në raportin e titulluar “Gjendja mjedisore në Komunën e Prizrenit” (Qershor 2020, https://ecmandryshe.org/.../200823152611_Gjendja...) ka bërë të ditur se transporti është përgjegjës për më shumë se dy të tretat e emetimit të oksideve të azotit (NOx) dhe me rreth 10 për qind të emetimit të përgjithshëm të ndotësve tjerë. Ndërkaq transporti rrugor në veçanti vazhdon të përbëj pjesën më të konsiderueshme të ndotësve kryesorë të ajrit (me përjashtim të oksideve të sulfurit). Përderisa emetimet nga transporti rrugor janë kryesisht lirime të gazrave nga djegia e karburanteve, emetimet jo-shkarkimore kontribuojnë poashtu në lirimin e përbërjeve organike të paqëndrueshme jo-metanore (NMVOC) nga avullimi i karburanteve si dhe grimcat e pluhurit parësor (nga shpenzimi i gomave, frenave dhe abrazioni i rrugëve). Sipas këtij hulumtimi në Kosovë emetimet e ndotjes nga automjetet janë rritur përgjatë viteve si pasojë e përdorimit të veturave të vjetra dhe përdorimit të tyre si mjeti kryesor për transport, ku numri i automjeteve të regjistruara nga viti 2011 deri në vitin 2019 ka shënuar rritje për 150,463 sosh. Në këtë aspekt, vjetërsia e automjeteve vazhdon të jetë problemi thelbësor në emetimet e ndotjes, pasi sipas Institutit GAP (https://veturat.institutigap.org/#vjetersia-e-veturave) mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite, ndërkohë që në Prizren në vitin 2016, kanë qenë të regjistruara 27,057 vetura apo 8.47% të totalit të veturave në Kosovë.
Kësisoj, përdorimi i automjeteve (veturave) si alternativa parësore për transport mbetet një komponentë problematike në ciklin e ndotjes në Prizren.
Në një vlerësim të cilësisë së ajrit, të bërë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës gjatë muajve mars-prill 2020 duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar për të analizuar se si kanë ndikuar masat të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, theksohet se këto masa kanë rezultuar në rënie të qarkullimit rrugor dhe në dinamikën e disa aktiviteteve tjera ekonomike, të cilat kanë ndikuar që të ketë edhe rënie të ndotjes së ajrit për disa parametra e sidomos me parametra që ndërlidhen me transportin rrugor (burimi: http://www.ammk-rks.net/?page=1,7,550).
Ndërkohë, në hulumtimin e EC-it, “Siguria në trafik” (https://ecmandryshe.org/.../200902173657_SIGURIA_NE...), shumica e të anketuarve ose 73% e tyre kanë deklaruar se asnjëherë nuk janë përfshirë si qytetarë në diskutime publike lidhur me organizimin e trafikut në qytet. Në të njëjtin hulumtim, një pjesë e qytetarëve janë shprehur se kanë filluar që si mjet transporti të përdorin biçikletat, por se shpesh duhet ta rikonsiderojnë këtë vendim shkaku i mungesës së shtigjeve për biçikleta, ku 55% të respondentëve kanë ngritur si çështje mungesën e hapësirave adekuate për ngasjen e biçikletave.
Ka 5 vjet që kjo organizatë ka prezantuar vizionimin e shtegut për çiklistë në qendër të Prizrenit (https://ecmandryshe.org/.../180618150535_Shtegu_per...), por që kjo kërkesë e komunitetit ende nuk ka gjetur zbatim në praktikë.
Për më shumë, edhe premtimet zgjedhore të paraqitura në vitin 2017, si: Ridizajnim i konceptit të trafikut urban me qëllim të reduktimit të shfrytëzimit të veturave, për çdo lagje dhe rajon të Komunës së Prizrenit, me kosto të përballueshme; dhe Riorganizimi i trafikut urban në rrethin e parë unazor dhe në qendrën historike, deri në fund të qershorit të këtij viti sipas matjes së Institutit GAP kanë mbetur në fazën fillestare (https://www.komunat.institutigap.org/.../Mytaher%20Haskuka). Bazuar në përgjigjet e Komunës, të ofruara për monitoruesit për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, del se Drejtoria e Shërbimeve Publike ka realizuar projektin e Auditimit dhe inspektimit të rrugëve në qytetin e Prizrenit, dhe se përveç planit të mobilitetit urban janë përgatitur termat e referencës, detyra projektuese dhe janë përcaktuar segmentet e rëndësishme te të cilat duhet të orientohet trafiku urban, derisa hapa tjerë përveç këtyre nuk janë ndërmarrë.
Arsyet e mësipërme kanë shtyrë EC-in që ngjashëm si edhe më parë të rekomandojë hartimin e politikave të qëndrueshme urbane me gjithëpërfshirje përfshirë Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban, si një plan të integruar strategjik, që mundëson rimendimin dhe riorganizmin e modaliteteve të transportit urban. Kjo për shkak se studime të ndryshme kanë treguar se qytetet që kanë një PMQU të zbatueshëm, brenda periudhave të shkurta kohore kanë parë përmirësim të gjendjes në mjedis, qoftë duke krijuar zona me emetim të kufizuar të ndotësve apo duke zgjeruar rrjetin e çiklizmit në qytet.
Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe, mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism” që zbatohet nga Community Development Fund – CDF. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të donatorëve.
Community Development Fund - CDF
Embassy of Sweden in Pristina
HumanRightivism
EC Ma Ndryshe