Qytetet në rruzullin tokësor, sipas raporteve të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, po nxehen dyfish mbi normën mesatare globale për shkak të urbanizimit të shpejtë dhe efektit të ishullit të nxehtësisë urbane. Ky trend është duke prekur edhe qytetet e mëdha të rajonit. As qytetet e mëdha të Kosovës nuk bëjnë përjashtim.
Sipas një raporti të Bankës Botërore që përqendrohet në Gjelbërimin e Qyteteve, nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të nxehtit pritet të rriten edhe më shumë në pak dekada në vijim. (burimi: https://documents1.worldbank.org/curated/en/099040524061582128/pdf/P5006481fb98fb0db1a9401e200293e761d.pdf?fbclid=IwY2xjawE8H2tleHRuA2FlbQIxMAABHWAlyUV7oHw7WzDJyl5CuMMWGvsMey5tNpcns2MP5ZN_hUWkKa7M62gwQQ_aem_RYOa0F0bX3lH_e1tkdXubg). Aty theksohet se Tirana, Shkodra, Vlora, Mostari, Sarajeva dhe Shkupi janë deri në 4.5-7.5°C më të nxehtë në verë krahasuar me rrethinat e tyre rurale.
Përveç kësaj, sipas raportit, shumë qytete të rajonit, përfshirë Shkupin, Tetovën, Sarajevën, Beogradin dhe Prishtinën përballen edhe me përqendrime të rritura të PM2.5 dhe janë ndër më të ndoturit në Evropë për sa i përket cilësisë së ajrit, që ka efekte negative në mjedis dhe shëndetin e njerëzve. Edhe zgjerimi urban në shpatet e pjerrëta i ka bërë qytetet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor të ekspozohen ndaj rreziqeve të larta të rrëshqitjes së dheut. Ndërkohë, edhe rreziku i përmbytjeve urbane, të shkaktuara nga reshjet intensive, ka ardhur në rritje në të gjitha vendet e rajonit në dekadat e fundit, duke çuar në dëme të konsiderueshme dhe humbje ekonomike.
Raporti rekomandon veprim në tre fronte kryesore për t'i bërë qytetet në rajon më të gjelbër.
Së pari, të zvogëlohet shtrirja urbane dhe qytetet të bëhen më kompakte. Kjo mund të bëhet nëpërmjet investimeve për rigjenerimin e zonave urbane për të rritur dendësinë, inkurajimin e përdorimit të përzier të tokës në zonat kryesore dhe rizhvillimin e hapësirave tashmë të përdorura. Së dyti, qytetet duhet të ulin emetimet e tyre. Fokusi duhet të jetë në sektorët kryesorë duke përfshirë transportin, ndërtesat dhe menaxhimin e mbetjeve. Së treti, qytetet duhet të ndërmarrin veprime për të zvogëluar nxehtësinë ekstreme urbane dhe për të rritur gatishmërinë për të. Masat, të tilla si çatitë e gjelbra, parqet dhe kopshtet urbane, dhe ligatinat e ndërtuara, duhet të promovohen duke pasur parasysh kostot e tyre të ulëta të zbatimit dhe përfitimet e larta mjedisore dhe sociale.
Në këtë pikëpamje, në raportin e Bankës Botërore, përmendet se sipërfaqet e gjelbra janë përmirësuar në rajon, ndonëse në periudhën e viteve 2015 – 2020 në qytetet si Tiranë, Tetovë dhe Prizren është vërejtur ulja e sipërfaqeve të gjelbra.
Për më shumë pohohet se investimet potenciale në gjelbërim mund të sjellin dobi të larta.
Kosova, ashtu siç është cekur edhe në raportin e fundit të BE-së, duhet që të rrisë përkushtimin politik dhe kapacitetet administrative për ti adresuar çështjet që ndërlidhen me degradimin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, sikurse edhe për të përmirësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me qëllimet e Agjendës së Gjelbër për në Ballkanin Perëndimor.
Autoritetet qeveritare kanë formuar Këshillin Kombëtar për Ndryshime Klimatike që është përgjegjës për përcjelljen e zbatimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshime klimatike, në përputhje me angazhimet në kuadër të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike, Marrëveshjes së Parisit, si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Por aktualisht në Kosovë përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike mbetet sfidë pasi studimet specifike për trendet, parashikimet dhe ndikimet klimatike janë të kufizuara. Gjithashtu problemet si shtimi i numrit të ndërtimeve të pakontrolluara që nga viti 1999, planifikimi jo i rregullt, shpyllëzimi dhe shfrytëzimi jo adekuat i tokave bujqësore, menaxhimi i paqëndrueshëm i ujit, trajtimi i pamjaftueshëm i ujërave të zeza, energjia, transporti dhe mungesa e ndërgjegjësimit publik për mjedisin po kontribuojnë në degradim të mjedisit në tërë Kosovën, e të gjitha këto pastaj kanë ndikim në klimë dhe ndryshimin e saj.
Në këtë pikëpamje, një hulumtim i mëhershëm i EC Ma Ndryshe (burimi: https://www.ecmandryshe.org/repository/docs/220707082336_perceptimet_e_qytetareve_te_prizrenit_per_ndryshimet_klimatike.pdf?fbclid=IwY2xjawE8H5xleHRuA2FlbQIxMAABHYHIF23hTFcS-1C8RlrPN-cv3VohYuGarAvjHdYo4cLLSO5-wVMkX-FFPA_aem_2M32an2bqFYE8h_Uobo5XQ) ka vënë në pah se qytetarët e Prizrenit në përgjithësi kanë vërejtur ndryshime në klimë dhe konsiderojnë se kjo në të ardhmen do të ketë pasoja tek ta. Madje 83 për qind të anketuarve janë përgjigjur se kanë vërejtur ndryshime në reshje, në ndërrimin e stinëve, përmbytje e thatësira.
Në të njëjtën kohë, EC-i ka publikuar edhe udhëzuesin për vendimmarrësit të titulluar "Drunjtë në peizazhin e qytetit” (burimi: https://www.ecmandryshe.org/repository/docs/200823152551_drunjte_ne_peisazhin_e_qytetit1.pdf?fbclid=IwY2xjawE8H7pleHRuA2FlbQIxMAABHSbLcyvr66uLO0Zv23eCV8S72ucdeg-25A8PxwKePR-JXHUNawZac3e1qA_aem_l-sH2enBfJ1rL_yEQJCMfw), ku theksohet se drunjtë janë pjesë e zgjidhjeve për shumë çështje aktuale nga ndryshimi klimatik deri të shëndeti e mirëqenia, dhe se shërbejnë për restaurimin mjedisor dhe baraspeshën shoqërore në lagjet dhe qendrat e qyteteve.
Prandaj duke marrë për bazë zhvillimet aktuale rekomandimi për autoritetet përgjegjëse është rritja e sipërfaqeve të gjelbra urbane sidomos me drunj meqë ato ndihmojnë luftimin e ngrohjes globale, duke thithur dioksid karboni dhe duke liruar oksigjen. Po ashtu krijojnë edhe habitate për shumë specie si dhe ndihmojnë shëndetin fizik dhe mendor të komunitetit.
HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe