Transparenca e organeve komunale lidhur me mbikëqyrjen inspektive dhe raportimin mjedisor është në nivel të ulët. Komunat e mëdha të Kosovës, si: Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaj dhe Mitrovica e Jugut shpalosin shumë pak informata për publikun sa i përket shkallës së zbatimit të politikave lokale mjedisore sikurse edhe për tejkalimet apo çrregullimet mjedisore të shkaktuara nga personat fizik apo juridik.
Të dhënat e nivelit komunal rreth: inspektimit të zbatimit të kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit; monitorimit të gjendjes së deponive të mbeturinave; monitorimit të gjendjes së zonave të mbrojtura; monitorimit të gjendjes së pyjeve, si dhe identifikimit të çrregullimeve mjedisore nga aktivitete të personave fizik ose juridik, sikurse edhe ato për aktvendimet; kërkesat për gjykatë dhe gjobat mandatore të shqiptuara, nuk shpalosen në tërësi e as rregullisht, gjë që kufizon të drejtën e publikut për të pasur një pasqyre të qartë dhe objektive lidhur me gjendjen e mjedisit dhe veprimet e ndërmarra për mbrojtjen e tij.
Në këtë aspekt, përgjigjet e komunave ndaj kërkesave të adresuara nga EC Ma Ndryshe, konfirmojnë edhe njëherë se mjedisi nuk renditet lartë në prioritetet e politikave publike të komunave, të cilat çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin më tepër i trajtojnë si kompetenca vetëm të nivelit qendror respektivisht të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sa i përket inspektimit të zbatimit të kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit, numri i inspektorëve mjedisorë në komuna është ende simbolik. Komuna e Mitrovicës së Jugut është përgjigjur se nuk bën inspektime rreth zbatimit të kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit; derisa pranon se çrregullimet mjedisore nga aktivitete të personave fizik ose juridik vërehen tek prerja e pyjeve, e druve në zona urbane, pastaj hedhja e mbeturinave në brigje të lumenjve dhe në shtratin e tyre, krijimi i deponive ilegale, etj. Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se bën monitorimin e deponive ilegale, duke i regjistruar të gjitha, për të raportuar më pastaj në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës. Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se nuk ka zhvilluar inspektim sa i përket zbatimit të kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit, e as inspektime sa i përket gjendjes së pyjeve, derisa ka pasur aktivitete të kohë pas kohshme për monitorimin e funksionimit të deponisë së mbeturinave. Komuna e Ferizajit nuk ka ofruar përgjigje, ndërkohë që Komuna e Gjakovës ka pohuar se brenda mundësive angazhohet për zbatimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e mjedisit, me ç’rast janë identifikuar edhe raste të dëmtimit mjedisor. Komuna e Pejës është përgjigjur se nuk harton raporte të inspektimit të zbatimit të kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit. Ndërsa Komuna e Prizrenit ka pohuar se inspektimi i kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit bëhet nga MMPHI, sikurse edhe një morri aktivitetesh në këtë fushë, përderisa sektori i mjedisit monitoron deponinë sanitare në Landovicë dhe atë të inerteve afër Zhurit. Kjo komunë ka vlerësuar se çrregullime të mëdha mjedisore në territorin e saj nuk ka pasur, për të pranuar tutje se “edhe nëse ka pasur, niveli lokal nuk ka aparatura apo instrumente për matjen e parametrave të cilët i kanë tejkaluar normat ligjore (MMPH)”.
Duke e marrë parasysh gjendjen aktuale, EC Ma Ndryshe rikujton qëndrimin se për adresimin e çështjeve mjedisore Ministria e Mjedisit ka rol prijës, por që sipas legjislacionit edhe Komunat kanë përgjegjësi për administrimin e mbrojtjes së mjedisit, duke bërë inspektimin e zbatimit të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm brenda territoreve të tyre. Për këtë arsye rekomandon nivelin lokal të qeverisjes që në mandatin e ri të shtojë përpjekjet dhe efikasitetin në mbikëqyrjen inspektive dhe raportimin mjedisor, sikurse edhe ta informojë publikun në kohë reale sa i përket shkallës së zbatimit të politikave lokale mjedisore si dhe për tejkalimet apo çrregullimet mjedisore të shkaktuara nga personat fizik apo juridik dhe masat e ndërmarra për zbatimin e ligjshmërisë.