Kosova vazhdon që të përballet me sfida serioze në mjedis dhe ndryshime klimatike

Shqetësimet e organizatave të shoqërisë civile si dhe të mekanizmave të pavarur institucionalë për mos adresimin e sfidave të ndryshme mjedisore në Kosovë janë konfirmuar sërish në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023.
Në një situatë të tillë, Kosova vazhdon që të përballet me mjedis të degraduar, gjë që ka ndikim negativ si në shëndetin e qytetarëve ashtu edhe në përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetit.
Raporti i KE për Kosovën për vitin 2023 thekson se Kosova është në fazën e hershme të përgatitjes sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, përderisa në periudhën raportuese ka bërë progres të kufizuar, me miratimin në muajin mars të Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes.
Sipas BE-së, Kosova duhet ta rrisë përkushtimin politik dhe kapacitetin administrativ për të adresuar çështjet që ndërlidhen me degradimin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, dhe po ashtu për të përmirësuar zbatimin e legjislacionit, me ç’rast këto përpjekje duhet të jenë në linjë me qëllimet e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Raporti për këtë vit ka konstatuar se rekomandimet e vitit të shkuar nuk janë zbatuar, dhe se në vitin e ardhshëm Kosova duhet të përqendrohet në: rritjen e mbulueshmërisë së grumbullimit të mbeturinave; aplikimin e masave për reduktimin, ndarjen, riciklimin dhe ripërdorimin e mbeturinave; adresimin në mënyrë efektive të çështjes së deponive ilegale; futjen e masave të ekonomisë qarkore për reduktimin e mbeturinave, zhvillimin dhe miratimin e planeve të menaxhimit të integruar ndërkomunal për mbeturinat; vendosjen e sistemit të zgjeruar të përgjegjësisë së prodhuesve; intensifikimin e punës për uljen e ndotjes industriale përmes zbatimit të ligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes; pastaj harmonizimin dhe fillimin e zbatimit të dispozitave ligjore për përgjegjësinë mjedisore, dëmin dhe krimin; të zbatojë parimin ndotësi paguan dhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e mjedisit; dhe zbatimin e strategjisë për ndryshimet klimatike dhe planin e veprimit për ndryshimet klimatike; të përgatisë një udhërrëfyes për përafrimin me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe acquis për klimën; të miratojë planin kombëtar të energjisë dhe klimës, në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë, dhe të finalizojë hartimin e strategjisë afatgjatë të de-karbonizimit dhe të përgatitet për harmonizimin me Sistemin ETS të BE-së.
Lidhur me sektorin e mjedisit, në Raport thuhet se Kosova duhet të ndërmarrë masa për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve mjedisore në nivel qendror e lokal, të zbatojë reforma strukturore dhe të sigurojë bashkëpunimin ndërinstitucional. Gjithashtu nevojitet rishikimi dhe miratimi i strategjive, planeve të veprimit dhe legjislacionit relevant për të siguruar koherencën me objektivat e Agjendës së Gjelbër. Në këtë pikëpamje është cekur se si është vonuar miratimi i Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm 2022-2030, ndërkohë që ka sfida për të zbatuar kornizën strategjike shkaku i mos ndarjes së fondeve të mjaftueshme, kapaciteteve të ulëta administrative dhe teknike dhe mbështetjes së madhe te donatorët.
Raporti gjithashtu ka theksuar se në këtë fushë, Kosova duhet të konsultohet në mënyrë të domethënëse me shoqërinë civile, si dhe të rrisë vetëdijen e publikut dhe të institucioneve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
BE-ja ka vënë në pah se cilësia e ajrit respektivisht ndotja e ajrit vazhdon që të rrezikojë shëndetin e qytetarëve. Tek menaxhimi i mbeturinave është hasur ca progres në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, por se paqëndrueshmëria e sistemit është çështje që mbetet të adresohet, bashkë me forcimin e kapaciteteve inspektuese në nivel qendror e lokal. Sipas raportit, Kosova ka pasur progres të kufizuar sa i përket përafrimit të legjislacionit për ujërat me atë të BE-së, me ç’rast në mënyrë urgjente duhet të krijojë sistemet e monitorimit me të dhënat që duhet ti prezantohen publikut. BE-ja ka konstatuar se nuk ka pasur fare progres sa i përket mbrojtjes së natyrës, derisa ca progres ka pasur në pylltari, kryesisht në planifikim e menaxhim, por që shpyllëzimi dhe prerja ilegale e pyjeve mbeten çështje shqetësuese. Progres të kufizuar ka pasur në përafrimin e legjislacionit sa i përket ndotjes industriale dhe menaxhimit të riskut, derisa ecuria e zbatimit të dispozitave ligjore është e ngadaltë, duke rrezikuar kësisoj tokën, ujin dhe shëndetin. Progres nuk ka pasur te kimikatet e as te ndotja akustike. Ne periudhën raportuese, Kosova nuk ka bërë asnjë përparim sa i përket vlerësimit të nevojave të rrezikut nga fatkeqësitë. Ndërkaq te ndryshimet klimatike, zbatimi i strategjisë dhe planit të veprimit është shumë i kufizuar, ndërkohë që ligji përkatës nuk është miratuar, dhe duhet bërë përpjekje për rritjen e ndërgjegjësimit.
Gjetjet e këtij raporti nënvizojnë se Kosova është ende shumë larg nga plotësimi i kritereve të BE-së në raport me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. BE-ja promovon veprime të fuqishme në raport me ndryshimet klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit.
Prandaj angazhimi i institucioneve publike në të gjitha nivelet duhet të jetë drejt ndërmarrjes së veprimeve dhe masave për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, me qëllim që të ruhet biodiversiteti dhe shëndeti i qytetarëve.
Me këtë rast duhet përkujtuar se pos tjerash, mbrojtja e mjedisit, është njëra prej vlerave mbi të cilat bazohet rendi kushtetues i Kosovës, prandaj dhe kujdesi në këtë drejtim duhet të jetë i shtuar nga të gjithë hisedarët.

HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe

 

Share