Komunat duhet të shtojnë mbikëqyrjen inspektive për mbrojtjen e mjedisit

Kosova vazhdon që të përballet me sfida të shumta sa i përket fushës së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Një gjë të tillë e ka konfirmuar sërish Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i publikuar muajin e kaluar. Në këtë raport theksohet se Kosova duhet ta rrisë angazhimin e saj politik për të adresuar degradimin e mjedisit dhe sfidat ndaj ndryshimeve klimatike.

Në mesin e çështjeve horizontale sa i përket fushës së mjedisit, veçohet se legjislacioni për inspektimet mjedisore nuk është miratuar dhe se inspektoratit i mungojnë kapacitetet për zbatim.

Për adresimin e çështjeve mjedisore natyrisht se Ministria e Mjedisit ka rol prijës, ndërkohë që sipas legjislacionit edhe Komunat kanë përgjegjësi për administrimin e mbrojtjes së mjedisit, duke bërë inspektimin e zbatimit të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm brenda territoreve të tyre. Organizimi i Inspektoratit në nivel lokal parasheh inspektoratin komunal të mbrojtjes së mjedisit, dhe inspektoratin komunal të ndërtimit, ku caktimi i numrit të inspektorëve sipas fushave përkatëse të mbikëqyrjes në nivel lokal, rregullohet nga organi i pushtetit lokal.

Bazuar në pyetjet e adresuara nga EC Ma Ndryshe lidhur me inspektimet komunale në 7 Komunat e Kosovës, që njihen si qendra rajonale (Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë e Jugut), rezultatet ofrojnë një pasqyrë të gjendjes aktuale për nivelin e ulët të inspektimeve mjedisore, si dhe mungesë të llogaridhënies e nivelit të transparencës karshi qytetarëve e shoqërisë civile në përgjithësi. Për periudhën kohore janar – qershor 2021 në gjithsejtë 7 Komunat më të mëdha të Kosovës janë shqiptuar 252 gjoba mandatore, si dhe janë adresuar 35 kërkesa në Gjykatat përkatëse nga ana e Inspektorëve komunalë mjedisorë. Në anën tjetër, numri i inspektorëve mjedisorë mbetet mjaft i ulët në krahasim me numrin e madh të problemeve mjedisore, që po ndikojnë në degradimin e mjedisit.

Për këto arsye, duke marrë parasysh edhe vërejtjet e adresuara nga autoritetet e BE-së, organet shtetërore të Kosovës, përfshirë komunat duhet që të intensifikojnë përpjekjet drejt zbatimit të dispozitave ligjore kundër degradimit mjedisor dhe krimeve në këtë fushë, në mënyrë që të shtohet efikasiteti në mbrojtjen e mjedisit.

Prandaj EC Ma Ndryshe rekomandon komunat respektive që të ndërmarrin veprime konkrete për përmirësimin e masave përkatësisht shtimin e mbikëqyrjes inspektive për mbrojtjen e mjedisit, me qëllim të parandalimit të degradimit të mëtejmë që manifestohet me pasoja të shumta negative.

Kosovo Foundation for Open Society (KFOS)
EC Ma Ndryshe

Share