Klasa verore, një ide e nxënësve që duhet të shqyrtohet nga vendimmarrësit

Reformat në procesin mësimor përgjatë historisë janë rezultat i ndryshimit dhe rritjes së kërkesave për suksesin e nxënësve në mësim. Përderisa më parë ora mësimore është zhvilluar kryesisht në ambiente të mbyllura në mënyrë tradicionale më mësuesin si ligjërues dhe nxënësit si dëgjues, në ditët e sotme mësimi realizohet gjithnjë e më shumë me ndërveprim, ku përfshihen loja, bashkëbisedimet, debatet, etj. Një nga metodat efektive të mësimit bazuar në përvojën e drejtpërdrejtë është edhe edukimi në natyrë, që si qasje është paraqitur në vitet 40 të shekullit të kaluar, për tu plotësuar tri dekada më vonë edhe me edukimin mjedisor.

Edukimi në natyrë fokusohet në marrjen e njohurive përmes vëzhgimit, observimit dhe përvojës jashtë klasës (Eaton, D., 1998), përderisa edukimi mjedisor është përqendruar në njohuritë dhe vetëdijesimin për çështjet mjedisore.

Edukimi në hapësirë të jashtme përkatësisht në natyrë përfshinë një gamë të gjerë të aktiviteteve dhe programeve të ndryshme që nuk përmban vetëm një ekskursion ose orë në natyrë, por aktivitete të kohëpaskohshme që nga: mësimi në klasa të jashtme-verore, oborre, parqe, pyje e male, muze, kopshte zoologjike, kopshte botanike, kampe verore, vizita studimore, vizita shkencore, etj. (Ford, P., 1986). Kësisoj është konceptuar edhe klasa verore apo klasa në ambient të jashtëm, që ofron një zonë praktike për të mësuar dhe mbajtur aktivitete tjera në natyrë, ndryshe nga klasa tradicionale në ambient të mbyllur.

Përveç metodologjisë së mësimit dhe përkushtimit të mësimdhënësit gjatë orës mësimore, ambienti rrethues ku nxënësit mësojnë ka rëndësi të madhe për zhvillimin e tyre.

Studime të ndryshme tregojnë se qëndrimi në hapësira të gjelbra ndihmon në krijimin e lidhjes me natyrën dhe kujdesin ndaj saj, nxit fëmijët të jenë më aktiv gjatë kohës së lirë. Po ashtu mësimi në hapësira të jashtme- klasa verore vepron si simulues për shëndetin fizik, mendor dhe emocional për ta, në të njëjtën kohë ju krijon ndjenjën e përkatësisë, vendit dhe përgjegjësisë qysh në moshën e hershme. Në aspektin mendor mësimi në klasë verore ndikon në rritjen e përqendrimit, zhvillimin e imagjinatës dhe krijimtarisë.

Në aspektin social klasa verore ndikon në: zhvillimin e aftësive sociale, rritjen e vetëbesimit, rritjen e interesimit për mësim, zgjerimin e aftësive të komunikimit dhe bashkëpunimit, zgjidhjes së problemeve si dhe rolit të udhëheqjes. Përveç kësaj gjithashtu siguron ndërgjegjësimin personal të nxënësve për kujdesin ndaj mjedisit.

Klasa verore si koncept nuk është e definuar në parametra dhe standarde marrë parasysh se në shumë udhëzime apo kurrikula nuk përfshihet si klasë andaj edhe dizajni i tyre është i ndryshëm varësisht nga konteksti dhe shfrytëzuesit e saj.

Klasat e jashtme verore më së shpeshti shfrytëzohen për lëndët që kanë të bëjnë me natyrën si ekologjia apo biologjia, ku krijohen kopshtet me bimë të ndryshme. Por në disa raste mbahen orë letrare apo orë pikture në ambiente të jashtme dhe jo të përcaktuara në një hapësirë të vetme.

Klasat verore mund të jenë: Klasë e hapur- hapësira e jashtme e shkollës e pa kufizuar me elemente të përhershme/ përkohshme ulëse, tavolina apo kopshte të ngritura; apo: aneks i shtuar në ndërtesë ekzistuese me strukturë të përhershme/përkohshme. Varësisht nga planimetria e shkollës shpeshherë këto klasë mund të vendosen në atriume të shkollave dhe të jenë të hapura, kurse nëse janë pjesë anësore kanë strukturë gjysmë të hapur që shërben edhe për qëndrim edhe për mësim.

Dizajni i klasës luan rol të rëndësishëm në mirëqenien dhe suksesin e nxënësve. Organizimi i klasës dhe përdorimi i materialeve adekuate në mobiliar në klasa tradicionale është dëshmuar të ndikojë në rritjen e koncentrimit, inkurajimin e sjelljeve të mira, pastaj promovon bashkëpunimin mes nxënësve, andaj këto parime duhet të merren parasysh edhe gjatë dizajnimit të klasës së jashtme.

Duke qenë se nxënësit e shkollave: ShFMU”Ibrahim Krasniqi”- Lipjan; ShFMU" Vëllezërit Domaneku" Topliqan – Lipjan; Gjimnazi “Ulpiana” – Lipjan; ShFMU ”Kadri Beba” – Lipjan; ShME ”Mazllum Këpuska“ –Gjakovë dhe ShFMU ”Nazim Kokollari”- Prizren, gjatë takimeve me aktivistët e shoqërisë civile kanë propozuar që koncepti i klasës verore të aplikohet në këto shkolla, atëherë zëri i tyre duhet përçuar tek vendimmarrësit në nivel lokal dhe qendror, që një ide e tillë të shqyrtohet seriozisht dhe gradualisht të futet në planet e punës së DKA-ve dhe MASHT-it. Natyrisht pa imponime. Por me vizionim të qartë dhe me një proces gjithëpërfshirës mund të arrihen konkluzionet e dobishme, që ushqejnë debatin për të krijuar një sistem më të shëndetshëm arsimor për nxënësit dhe më të qëndrueshëm për gjithë komunitetin shkollor.

HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe

Share