Investimet në efiçiencë të energjisë në Kosovë

Energjia elektrike është një e drejtë bazike, e cila duhet t’i garantohet dhe të jetë e qasshme për të gjithë. Me sigurimin e energjisë së nevojshme ne plotësojmë një numër të madh të të drejtave bazike si: të drejtën për një nivel të mjaftueshëm jetese, e cila i përgjigjet shëndetit dhe kërkesave esenciale duke përfshirë këtu ushqimin, veshmbathjen, vendbanimin, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale.

Objektivat e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm të publikuara si Plan Veprimi në vitin 2015 për t’u realizuar deri në vitin 2030, si qëllim kryesor kanë edhe sigurimin e energjisë së përballueshme dhe të pastër (SDG nr.7). Këto objektiva kanë aftësi zhvillimore transformuese meqë bazohen në të drejtat e njeriut, dhe me anë të kësaj objektive në mënyrë specifike mundohet të ofrohet qasja në energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë.

Por efiçienca e energjisë është një fushë e gjerë dhe një objektiv jo i lehtë për t’u arritur, që nënkupton uljen e konsumit të energjisë në një territor të caktuar. Që nga baza ligjore, gjendja teknike e rrjetit e deri tek sjellja e konsumatorëve, efiçienca është rezultat i shumë faktorëve. Ajo nënkupton të gjitha veprimet dhe aktivitetet që rezultojnë me uljen e sasisë së energjisë të nevojshme për ofrimin e një shërbimi (nxehja, ndriçimi, etj) ose mundësimi i një aktiviteti. (https://bit.ly/3E7LbW7)

Kosova mbetet shumë e varur nga qymyri, i cili përveç që është burim dominues i gazeve serrë, shkakton rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin. Andaj problemet mjedisore në vend të shkaktuara nga energjia jo-efiçiente si ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësim, dhe për ta ulur më tej varësinë e vendit nga emetimet e qymyrit dhe gazrave serrë duhet punuar shumë në drejtim të uljes së konsumit të energjisë, sidomos rritjen e efiçiencës në ndërtesa.

Pjesa më e madhe e energjisë në Kosovë shpenzohet për nevoja rezidenciale. Ndërtesat në Kosovë përbëjnë 40% të kërkesës totale të energjisë, e në anën tjetër sektori i ndërtimit paguan pak ose nuk i kushton vëmendje aspak efikasitetit të energjisë. Ndërtimet e vjetra por edhe ato të reja, nuk janë efiçiente, për më shumë një shumicë e madhe e shtëpive dhe banesave në Kosovë përdorin energjinë elektrike për ngrohje, gjë që e bën efiçiencën e energjisë të jetë në një nivel shumë të ulët. Autoritetet e Kosovës kanë filluar planifikimin dhe hartimin e politikave publike sa i përket efiçiencës jo dhe aq mirë pasi që ata janë nisur më shumë nga kërkesat që bëhen nga Bashkimi Evorpian, sesa nga baza themelore e nevojës për efiçiencë.

Sa i përket legjislacionit dhe strategjive Kosova ka adaptuar standardet dhe rregullat e BE-së, ku janë themeluar Agjencioni Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë dhe se Qeveria dhe disa nga Komunat kanë adaptuar ose janë në proces të adaptimit të Planeve të Veprimit të Efiçiencës, por edhe dokumente strategjike që kanë trajtuar konsumin e energjisë në ndërtesa, siç janë: Strategjia e Energjisë për Republikën e Kosovës (2017-2026), Strategjia e Ngrohjes (2011 - 2018), Ligji për Performancën e Energjisë së Ndërtesave (2016), Ligji për Efiçiencën e Energjisë (2018), Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKVEE 2010-2018).

Sipas Raportit të Komisionit Europian të bërë për vitin 2022, Kosova ka arritur një nivel të përgatitjes në fushën e energjisë duke bëre përparim të kufizuar, veçanërisht duke rritur pjesën e saj të energjisë së rinovueshme dhe investimet e saj në efikasitetin energjetik të ndërtesave publike. (https://bit.ly/411fQxX)

Fundi i vitit 2021 e shënoi përurimin e ngrohtores me biomasë në qytetin e Gjakovës. Kjo ngrohtore moderne e ndërtuar nga BE-ja, u bë ngrohtorja e parë me biomasë në rajon dhe po prodhon me sukses ngrohje nga burime të pastra të energjisë, duke e ulur ndotjen për 90%.

Sipas të dhënave nga Agjencioni i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE) vitin e kaluar komunat përmes projekteve të ndryshme kanë investuar rreth 5,6 milionë euro, ndryshe nga viti 2021 ku investimet ishin dukshëm më të vogla apo rreth 740 mijë euro (në 6 komuna). Këto investime kryesisht janë realizuar për zbatim të masave të EE-së në ndërtesa dhe ndriçim publik, në objekte administrative, subvencionimi i efiçiencës së energjisë për qytetarët, etj. Kjo e fundit është ndihmuar shumë edhe nga niveli qendror, fondacionet, bankat dhe bizneset e ndryshme.

Në raportin e Komisionit Evropian theksohet se Kosova duhet të rrisë ndjeshëm ambiciet e saj dhe kapacitetet administrative për të zbatuar siç duhet standardet e BE-së për transport, energji dhe mjedis. Strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni në këta sektorë duhet të jenë më konsistente dhe në përputhje me parimet dhe objektivat e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe me Planin Ekonomik dhe të Investimeve.

Sipas këtij raporti po ashtu rekomandohet që Kosova të vazhdojë me shpërndarjen e fondit të efiçiencës së energjisë, duke e fokusuar në ndërtesat e banimit dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Po ashtu aty thuhet se duhet bërë miratimi i ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë dhe futja e një procesi konkurrues tenderimi për projektet e energjisë së rinovueshme në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore dhe nënshkrimi i marrëveshjes së drejtpërdrejtë me ofruesin e shërbimit për përdorimin e regjistrit elektronik kombëtar për lëshimin, anulimin dhe tregtimin e garancive të origjinës.

Në të njejtën kohë krahas dhënies së rëndësisë, përmirësimeve dhe investimeve që duhen bërë nga ana e organeve kompetente, sjellja jonë mbetet thelbësore për të mbetur efiçient ndaj energjisë.

HumanRightivism
Embassy of Sweden in Pristina
Community Development Fund - CDF
EC Ma Ndryshe

Share