Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), EC Ma Ndryshe ka vijuar aktivitetin pjesëmarrës me banorët e lagjes Bazhdarhane në Prizren, konkretisht në rrugët “Adem Jashari”, “Ahmet Prishtina” dhe zonat përreth. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve lidhur me hapësirat publike dhe kushtet e jetesës në lagjen e tyre.
Gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për mbledhjen e komenteve, sugjerimeve dhe problemeve nga banorët.
Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të moshave të ndryshme.
Banorët ndanë shqetësimet dhe nevojat që hasin në përditshmërinë e tyre në lagje. Ndër çështjet më të theksuara ishin gjendja e dobët e disa rrugëve dhe trotuareve, mungesa e vendparkingjeve për banorët, mungesa e ndriçimit publik në disa zona, si dhe mungesa e qasjes së përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, u evidentua nevoja për zgjerimin e trotuareve dhe krijimin e kushteve më të sigurta për lëvizjen e këmbësorëve.
Gjatë bashkëbisedime me banorët u ngritën edhe shqetësime që lidhen me sigurinë publike, përfshirë praninë e kutive elektrike të hapura, si dhe nevojën për rregullimin e shtyllave dhe kabllove elektrike. Banorët kërkuan gjithashtu shtimin e patrullimeve policore në zona ku është raportuar lëvizje me shpejtësi e motocikletave, si dhe ndërhyrje për trajtimin e problemit të qenve endacakë.
Njëkohësisht, banorët kërkuan mirëmbajtje më të mirë të parqeve dhe hapësirave publike, përfshirë mobilerinë urbane.
Të gjitha komentet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do të përcillen tek institucionet përkatëse, me qëllim adresimin e tyre dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e lagjes Bazhdarhane.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.
