Gjendja e mjedisit në Kosovë mbetet e pafavorshme, administrata qendrore ende ballafaqohet me mangësi

Gjendja e mjedisit në Kosovë, përkundër angazhimeve të institucioneve të nivelit qendror, mbetet e pafavorshme, me nevojën për përmirësime të ndjeshme në shumë aspekte.
Sipas gjetjeve të raportit të monitorimit të sektorit të mjedisit për vitin 2024, numri i angazhuar i punonjësve publikë për kryerjen e detyrave të përcaktuara me ligj nuk është i mjaftueshëm, derisa korniza ligjore mjedisore mbetet pjesërisht konsoliduar, dhe ka nevojë për harmonizim me direktivat e BE-së.
Për dokumentet e planifikimit, programet, projektet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit nevojitet transparencë më e madhe.
Sa i përket mbikëqyrjes inspektive, përkundër veprimeve numri i shkeljeve ligjore mbetet i konsiderueshëm.
Të dhënat për sistemet e monitorimit të mjedisit janë të publikuara në ueb faqen e AMMK-së, por jo edhe në kohë reale.
Raportet e institucioneve përgjegjëse, ndër të tjerash, bëjnë të ditur se nevoja dhe kërkesa për investime në mjedis mbetet ende e lartë, dhe se çështja e mjedisit në Kosovë ende ka nevojë për përmirësime të dukshme në të gjitha aspektet. Edhe sistemet e menaxhimit të të dhënave mjedisore kërkojnë përmirësim të mëtejshëm ngase nuk janë të kompletuara, dhe njëkohësisht nevojitet staf adekuat.
Bashkëpunimi ndër-institucional dhe ndër-sektorial ka nevojë për përmirësim të ndjeshëm, sikurse edhe transparenca sa i përket licencimit dhe lëshimit të lejeve mjedisore.
Në raport edhe njëherë janë adresuar rekomandimet e ngjashme si nevoja për rritjen e transparencës së institucioneve për çështjet mjedisore; trajtimi i mjedisit me prioritet më të lartë; avancimi i legjislacionit dhe politikave publike për mjedisin, shtimi i financimit për projektet mjedisore dhe mbrojtjen e mjedisit; etj.

Për më shumë, lexoni raportin e plotë në këtë link:
https://www.ecmandryshe.org/repository/docs/raport_monitorimi_administrata_qendrore_2024_final.pdf

Share